Udhëzues për Freelancerët në Kosovë: Financa, Kontabilitet dhe Procedura Tatimore
- Betina Bojniku
- Jul 8
- 3 min read
Në vitet e fundit, puna si freelancer në Kosovë është bërë një mënyrë gjithnjë e më e zakonshme për të gjeneruar të ardhura, veçanërisht në fushat si IT, dizajn grafik, përkthime, shkrime për web dhe shërbime të tjera online. Por me këtë liri vjen edhe përgjegjësia për të menaxhuar tatimet dhe kontabilitetin në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme.
Ky artikull synon të ofrojë një pasqyrë të qartë për të gjithë freelancerët në Kosovë mbi procedurat tatimore, detyrimet financiare dhe menaxhimin e kontabilitetit.
1. A duhet të regjistrohem si freelancer në Kosovë?
Po, nëse gjeneroni të ardhura nga shërbimet që ofroni, sipas ligjit të Kosovës jeni i obliguar të:
Regjistroheni si biznes individual në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), ose të
Pajiseni me numër fiskal pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK)
Freelancerët zakonisht regjistrohen si Biznes Individual – Person Fizik. Kjo formë është më e thjeshta për fillim dhe ka më pak kërkesa administrative.
2. Detyrimet Tatimore dhe Deklarimi i Tatimeve për Freelancerët në Kosovë
Të qenurit freelancer në Kosovë nënkupton edhe disa detyrime tatimore ligjore, të cilat duhet të përmbushen brenda afateve të caktuara për të shmangur gjobat dhe penalitetet. Më poshtë janë llojet kryesore të deklaratave tatimore dhe afatet përkatëse të dorëzimit:
Çfarë nënkupton secila deklaratë?
Deklarata Tremujore e të Ardhurave: Freelancerët që punojnë si persona fizikë janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tyre çdo tremujor dhe të paguajnë tatimin e llogaritur.
Deklarata Vjetore Tatimore: Në fund të vitit fiskal, duhet të bëhet një deklaratë përmbledhëse për të gjithë vitin, duke reflektuar të gjitha të ardhurat, shpenzimet dhe tatimet e paguara gjatë vitit.
Deklarata e TVSH-së: Kjo vlen vetëm për freelancerët që janë të regjistruar për TVSH (nëse kanë kaluar pragun prej 30,000 EUR/qarkullim vjetor). Deklarimi bëhet çdo muaj, deri më 20 të muajit pasues.
Për të shmangur problemet ligjore dhe financiare, është shumë e rëndësishme që çdo freelancer të jetë i rregullt me deklarimet tatimore dhe të respektojë afatet zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
3. Si të menaxhoni kontabilitetin si Freelancer?
Mbani regjistrime të sakta për të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet
Ruani faturat dhe kontratat me klientët
Përdorni softuer të thjeshtë të kontabilitetit ose bashkëpunoni me një kontabilist
Disa nga shpenzimet që mund të zbritni nga të ardhurat tuaja:
Pajisjet kompjuterike
Softuerët profesional
Interneti
Shpenzime udhëtimi për qëllime pune
4. Pagesat nga jashtë: Çka duhet të dini?
Nëse punoni për klientë ndërkombëtarë dhe pranoni pagesa nga jashtë:
Sigurohuni që pagesat të hyjnë në llogarinë tuaj bankare të biznesit
Për çdo pagesë, mbani prova të shërbimeve të ofruara (kontrata, email konfirmime, fatura)
Jeni të lirar nga TVSH.
Raportoni të gjitha të ardhurat, pavarësisht nëse janë nga jashtë ose brenda Kosovës
5. Gjoba dhe penalitete në rast të mosdeklarimit
Nëse nuk deklaroni tatimet në afat ose nuk i paguani detyrimet tuaja:
Mund të përballeni me gjobë
Penalitete për vonesë
Interesa për pagesa të papaguara
Të jesh freelancer në Kosovë sjell shumë mundësi, por kërkon edhe përgjegjësi financiare dhe tatimore. Me menaxhimin e duhur të kontabilitetit dhe deklarimin e rregullt të të ardhurave, mund të ndërtosh një karrierë të suksesshme dhe të qëndrueshme.
